Richard Grenell, ambasador i SHBA-së në Gjermani, pritet t’i çojë përpara përpjekjet e vendit të tij në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Vendimi është marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Por, kush është Richard Grenell?
Richard Grenell jeton në Berlin, në një lokacion jo larg portës së Brandenburgut. Ai përfaqëson politikat e SHBA-së në Gjermani, vend ky që ishte ndihmuar nga amerikanët të çlirohet gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Trump e nominoi Richard “Ric” Grenell, ish-diplomat në administratën e presidentit George Bush, në shtator të vitit 2017.
Po ashtu, gjatë kohës së administratës së Bushit, Grenell ishte drejtori i ekipit të Komunikimit dhe Diplomacisë Publike, të katër ambasadorëve të ndryshëm amerikanë në Kombet e Bashkuara.
Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan, duke thënë se do të bashkëpunojë me Grenellin për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan, përcjell albinfo.ch.