Kriza parlamentare që ka përfshirë Kosovën muajt e fundit, ka bërë që Kuvendi i Kosovës të dështojë në përmbushjen e agjendës legjislative. Brenda dhjetë muajve të këtij viti, Parlamenti ka miratuar vetëm 29 ligje, nga 100 sa kanë qenë të parashikuara në gjendjen e vitit 2015.
Pengesë të madhe në miratimin e ligjeve ka shkaktuar bllokimi i punës së Kuvendit nga ana e subjekteve opozitare. E kur kësaj bllokade i shtohet edhe ngërçi politik gjashtë mujor i vitit të kaluar, del se kjo nomenklaturë zgjedhore legjislative ka dështuar plotësisht në përmbushjen e agjendës legjislative.
Ndërkohë analistët politikë vlerësojnë se bllokimi i punës së Kuvendit do të ketë pasoja në disa aspekte për Kosovën, duke filluar nga tërheqjen e investimeve të huaja, deri të procesi i liberalizimit të vizave dhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës, raporton “zëri”.
Ata thonë se bllokimi i Kuvendit po dëshmon se klasa politike në Kosovë është e brishtë dhe e papërvojë.
Në anën tjetër, analistët politik në Prishtinë, por edhe ish ligjvënësit kosovarë të legjislaturave të kaluara, thonë se kjo përbërje e Kuvendit të Kosovës, që është e pesat pas pavarësisë, është më e dobëta që nga sistemi pluralist në Kosovë. Kjo legjislaturë e ka degraduar maksimalisht pozitën e deputetit.
Faji për këtë i hidhet sistemit zgjedhor sipas të cilit votat e partisë gjatë zgjedhjeve janë përqendruar tek personat e preferuar të liderëve të partive, duke diskualifikuar kështu kandidatët e përgatitur për legjislativ.
Derisa në nomenklaturën e parë e të dytë legjislative kishte një numër të madh doktorë shkencash e akademikësh, tani në këtë legjislaturë, siç thonë analistët, janë kontarbanduar njerëz të ish-shërbimeve partiake, ata që janë marrë me krim të organizuar e njerëz të dëshmuar për korrupsion e shantazh.
Ndryshe, zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës janë mbajtur në vjeshtën e vitit 2001, dhe nga atëherë janë organizuar pesë parë zgjedhje të lira e demokratike. Kryeparlamentari i parë i Kosovës ka qenë Nexhat Daci i pasuar nga Kolë Berisha. Më pas dy mandate i ka mbajtur Jakup Krasniqi dhe kjo legjislaturë, e pesta dhe më jofunksionale, drejtohet nga Kadri Veseli.