Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, shpalli listën për dy ndeshjet e muajit tetor. Kuqezinjtë do të ndeshen me Jordaninë në miqësoren e 10 tetorit në Elbasan, derisa më 14 tetor në udhëtim me Izraelin në Ligën e Kombeve, shkruan albinfo.ch.
Në listën e Panuccit ishin edhe katër futbollistë që për herë të parë janë ftuar.
I pari është anësori Egli Kaja, që aktivizohet në radhët e skocezëve të Livingstone. Ai ka lindur në Ferizaj, derisa është shprehur i lumtur që do të jetë pjesë e kuqezinjve.
Mbrojtësi Kastriot Dermaku gjithashtu i është bashkuar Shqipërisë. Ai ishte ftuar nga Kosova për dy ndeshjet e muajit shtator, dhe pasi nuk luajti në ndeshjen e parë ndaj Azerbajxhanit, u largua nga kampi i Kosovës. Tashmë është ftuar te Shqipëria, derisa ka luajtur edhe me kuqezinjtë U-21. Qendërmbrojtësi luan te Cozenca në Serie B.
Panucci ftoi edhe ish-sulmuesin e Laçit, Myrto Uzuni, i cili që nga ky sezon luan në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit. Ai shihet si një futbollist me vlera të mëdha.
I fundit është Giaccomo Vrioni që vjen nga Venezia. Vrioni ka vetëm një ndeshje me Shqipërinë U-21, ku shënoi në miqësoren ndaj Italisë. Ai ka luajtur edhe për grupmoshat e Italisë.