Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon regjistrimi i deputetëve të legjislaturës së re, ndërsa ka mbetur edhe pak që të përfundojë ky proces. Pasi është regjistruar si deputet, i nominuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se ata e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve për ta formuar qeverinë e re së bashku me koalicionin LAA.
“Në vitin 2014 ka pasur edhe kritere shtesë për qeverisjen e Vetëvendosjes përveç votave, tashmë nuk ekzistojnë kriteret e tilla. Ne trajtohemi në mënyrë të barabartë dhe kushdo që krijon shumicën do të krijojë Qeverinë e cila pranohet dhe mbështetet nga faktorët ndërkombëtarë. Theksojmë rëndësinë e partneritetit edhe bilateral edhe multilateral me shtete e Perëndimit e në veçanti me ShBA-në”, është shprehur Kurti transmeton albinfo.ch.
Ish lideri i LVV-së edhe njëherë ka rikonfirmuar se Vetëvendosja nuk e voton Kadri Veselin, për kryetar të Kuvendit.