Qeveria e Kosovës synon arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm që kjo të ndodhë edhe gjatë vitit 2022, por një gjë e tillë varet edhe nga Serbia.
“A do të ketë një marrëveshje të tillë, varet shumë më shumë nga Serbia sesa nga Kosova, meqenëse ne jemi të gatshëm. Marrëveshja që nuk e nënkuptojnë si qendër të përmbajtjes njohjen reciproke, natyrisht që nuk janë të pranueshme për ne, por edhe nuk janë të dobishme për askënd”.
Ai ka thënë se me arritjen e marrëveshjes përfundimtare do të përfitonin të dyja shtetet, meqë do të përshpejtohej procesi i integrimit të këtyre dy vendeve në familjen europiane.
“Serbia dëshiron të vazhdojë rrugën europiane, por këtë nuk do të mund ta bëjë pa e pranuar Kosovën dhe, në anën tjetër, Kosova dëshiron edhe integrime europiane, por edhe euroatlantike dhe për këtë na nevojitet një normalizim i plotë me Serbinë”.
Por, për kryeministrin Kurti, Serbia ka dilema sa i përket integrimit të saj në BE.
“Serbia ka dilema, meqë ka marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Rusinë, blen armatim prej Rusisë dhe është pjesë e Unionit Ekonomik Euroazitaik, Gazpromi ka 50% të industrisë së naftës në Serbi dhe gjithashtu 51% të basenit më të madh të gazit në Banaskit Vor në Vojvodinë, pra ata kanë dilema, ndërsa ne jemi të qartë në rrugën tonë europiane dhe europerëndimore”.