Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, gjatë vizitës së tij në Gjermani.
Në këtë takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe përfshirjen e mërgatës si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke përmendur pritjen e refugjatëve kosovarë gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe kontributin e mëvonshëm në procesin e rindërtimit të vendit pas luftës. Ai theksoi se kjo mbështetje përbën bazën e partneritetit aktual mes dy vendeve, transmeton albinfo.ch.
Gjatë takimit u trajtuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe rritjen e shkëmbimeve kulturore, si elemente të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe landit gjerman Nordrhein-Westfalen.