Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nesër do të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai u shpreh optimist për zhvillimin e procesit:
“Më duhet me shku në Llap tash. Nesër do t’i përgjigjemi obligimit për seancë konstituive dhe besoj që do të shkojë mbarë e mirë gjithçka,” tha shkurt Kurti para mediave.
Deklarata e tij vjen pas thirrjes së presidentes Vjosa Osmani për seancën konstituive, e cila është caktuar për nesër, më 11 shkurt, në orën 12:00, një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Presidenca ka bërë të ditur se vendimi për datën e seancës u mor pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e formimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Seanca konstituive shënon hapin e parë drejt krijimit të institucioneve të reja të Kosovës./Albinfo.ch