Në tubimin e 15-vjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj, Albin Kurti, thotë se VV nuk kthehet më në periudhën para 6 tetorit, kur kjo parti fitoi zgjedhjet.
“Më 6 tetor ndryshoi politika, ndërsa më 3 shkurt ndryshoi qeverisja. Ne nuk kthehemi kurrë para 6 tetorit.
“Qeverisja e mirë u ndërpre, sepse ata që e kanë kapur shtetin nga të gjitha anët, u kapën bashkë kundër qeverisjes së mirë”, tha Kurti.
Ish-kryeministri e ka fajësuar LDK-në se braktisi qeverisjen, sipas tij, të mirë dhe u bë bashkë me Presidentin Hashim Thaçi.
“Ju ishit dëshmitarë kur presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara u vërsul me gjykata dhe të gjitha mjetet kundër qeverisjes së mirë, natyrisht ai nuk i gjen bashkëpunëtorë te LVV-ja, por i gjeti te Lidhja Demokratike, udhëheqja e së cilës e braktisi qeverisjen e mirë dhe qytetarët që i premtoi një qeveri të ndryshimit. Tani të gjithë janë bashkë në një qeveri koti, që kumbarë e ka presidentin e PDK-së”, tha Kurti, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.




