Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se në takimet që pati sot, veçmas, me Kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë, është rënë dakord se duhet të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.
Gjithashtu, Borell deklaroi se i ka thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.
Kryediplomati europian shtoi se pret nga palët që të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa asnjë parakusht.
Sipas Radio Evropa e Lirë, Borrell shtoi se në takimin me Kurtin ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe të punojnë nga ndërtesa alternative.
Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell po ashtu tha se nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës.