Shqipëria është para një testi të vështirë, derisa po përballet me shumë mungesa.
Një 19-vjeçar kuqezi largohet nga Shpresat për t’iu bashkuar Kombëtarja A. Bëhet fjalë për Albion Ademin, i cili është thirrur me urgjencë nga trajneri Christian Panucci para dy takimeve të radhës me Skocinë në Ligën e Kombeve dhe Uellsin (miqësore).
Ademi është pjesë e skuadrës Inter Turku në Finlandë dhe aktivizohet si sulmues në të dy krahët, shkruajnë mediat shqiptare.
Më parë Ademi ka luajtur për të gjitha kombëtaret e moshave në Finlandë, por së fundmi është pajisur me pasaportë shqiptare, pasi ka vendosur të luajë për kuqezinjtë, përcjell albinfo.ch.
Eros Grezda ka vazhduar të stërvitet i diferencuar për shkak të një lëndimi në pulpën e djathtë, edhe pse do të provojë të bëjë gjithçka të jetë gati për ndeshjen e së shtunës. Veçmas grupit, ka zhvilluar stërvitje edhe mesfushori i Brescias, Emanuele Ndoj.
Ekipit i është bashkuar gjithashtu edhe Elhan Kastrati, ish-portieri i Teutës që tashmë është pjesë e Pescaras në Itali, duke zëvendësuar kështu Alban Hoxhën, i cili vazhdon të shfaqë probleme në ligamentin e gjurit të djathtë.
Ermir Lenjani, gjithashtu është largohet për shkak të lëndimit, derisa Ivan Balliu, ka pasur probleme me klubin e Metz në Francë, dhe gjithashtu nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve.
Për shkak të kartonëve nuk do të luajnë Migjen Basha dhe Elseid Hysaj.