Komisioni për Administratë Publike ka shqyrtuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë.
Lista Serbe ka kërkuar që të përfshihet edhe 28 qershori si festë e Vidovdanit. Mirëpo, është kundërshtuar nga anëtarët e komisionit.
Deputeti i AAK-së, Milaim Zeka, ka thënë se nuk është kundër festave serbe, por kërkesën e Listës Serbe e ka quajtur të papranueshme.
“Është provokuese dhe tepër fyese për shqiptarët që jetojnë në Kosovë kur bashkëqytetarët e tu vijnë në Kosovë me fotografi të Millosheviqit”, është shprehur Zeka.
Ai ka thënë se vetëm Lista Serbe dhe Vetëvendosja nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Por, ka reaguar deputeti Adem Mikullovci, duke i thënë Zekës se nuk është e hijshme që të bëhet krahasimi mes VV-së dhe Listës Serbe.
Edhe deputeti i AAK, Rasim Selmanaj, e ka kundërshtuar futjen e 28 qershorit si festë zyrtare. Në fund, projektligji është dërguar për seancë me rekomandimet që të hiqet festa e 28 qershorit.