Lojtari 31 vjeçar i kombëtares shqiptare u ndëshkua të shtunën me karton të kuq në ndeshjen që FC Zurichu e humbi nga FC Luzerni me rezultat 2-5, shkruan “fussball.ch”.
Kukeli për të mos lejuar një gol të sigurt, luajti rolin e portierit duke e ndalur me dorë topin i cili ishte në drejtim të portës.
Për këtë veprim ai u largua nga fusha dhe nuk ka të drejtë të luajë në ndeshjen e radhës që Zurichu do ta zhvillojë kundër kampionit zviceran dhe kryesuesit në tabelë, FC Baselit, njofton “albinfo.ch”.
Kujtojmë se gjatë këtij dueli fjalën kryesore e patën futbollistët shqiptarë. Për FC Zurichun përpos Burim Kukelit, në lojë ishte edhe Berat Xhimshiti ndërsa Armando Sadiku arriti edhe të shënojë gol.
Në anën tjetër për Luzernin, nga asistimi i Jahmir Hykajt, shënon Hekuran Kryeziu, ndërsa në lojë u aktivizua edhe transferi më i ri i këtij ekipi, Migjen Basha.