Cilado nga katër kompanitë në garë për të blerë Distribucionin dhe Furnizimin e KEK-ut e që do ta fitojë tenderin, pritet të ketë punë me borxhlinjtë e shumtë të KEK-ut.
Përmes mënyrës së privatizimit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik po shikon të gjejë mundësinë për të zgjidhur një nga problemet më të mëdha të sektorit energjetik në vend.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë të ketë gjetur miratim te katër kompanitë rreth këtij modeli të privatizimit.
Mirëpo, kjo mënyrë nuk po shihet e suksesshme në sytë e ekspertëve të ekonomisë.
Madje, sipas tyre, në privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit duhet të kihet shumë kujdes dhe para së gjithash duhet të shikohen përvojat e shteteve fqinje.
Zgjidhja e borxhit të akumuluar, që kalon 400 milionë euro, ka kohë që ka qenë pjesë e planeve të qeverive të deritashme të Kosovës.