Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Linzit në Austri, Klauk Luger, që po shoqërohej nga zëvendësambasadori i Austrisë në Kosovë, Martin Schaller.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje kryetarit Luger dhe falënderoi për raportet shumë të mira me komunitetin e shqiptarëve në komunën që ai drejton.
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit, me theks në fushën e ekonomisë, teknologjisë dhe edukimit, veçanërisht nëpërmjet mërgatës në Austri. transmeton albinfo.ch.
Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin Luger për rezultatet dhe arritjet e qeverisjes dyvjeçare, për indikatorët ekonomikë në eksport dhe investime të huaja, dhe për progresin në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Kryetari i Komunës austriake, Luger, po qëndron në Kosovë në një vizitë dyditore, dhe krahas takimeve me përfaqësues të institucioneve, po viziton edhe disa kompani të ndryshme private.
Në vitin 2021 Komuna e Podujevës dhe Komuna e Linzit kishin nënshkruar marrëveshje të binjakëzimit.

