Kroacia nga 1 korriku është bërë edhe zyrtarisht vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian.
Vendi prej 4.4 milionë banorësh bëhet shteti i dytë ish-jugosllav që i bashkohet BE-së, pas Sllovenisë, e cila është anëtarësuar në vitin 2004.
Ngjarja ndodh gati dy dekada pas fundit të luftës së Kroacisë për pavarësi nga ish-Jugosllavia dhe pas disa vitesh reforma.
Festa, e cila do të ndiqet nga personalitete të shumta evropiane, do të mbahet sonte në qendër të Zagrebit.
Megjithëse anëtare e plotë e BE-së, Kroacia nuk do të jetë menjëherë pjesë e Schengenit, zonës së udhëtimit pa viza, as nuk do të përdorë monedhën euro.
Anëtarësimi i Kroacisë në BE ndodh në kohën kur ajo tashmë ka hyrë në vitin e pestë të recesionit dhe ka një papunësi prej 20%.
Në një studim të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë gjermano-kroate të vitit 2012, Kroacia renditet e 11-a si vend për investime në Europën Lindore, pas Sllovenisë dhe Serbisë.