Mbrëmë, qytetarët kosovarë të besimit katolik kanë shënuar festën e Krishtlindjes. Në Prishtinë, kjo festë për herë të parë është kremtuar me meshën solemne të mesnatës, të mbajtur në katedralen e re, „Nëna Terezë”.
Me këtë rast, të gjithë besimtarët katolikë u përgëzuan me urimin për paqe, dashuri dhe tolerancë. Po ashtu u theksua se shënimi i përbashkët i kësaj feste është edhe një shenjë e tolerancës dhe bashkëjetesës në mes të besimeve fetare në Kosovë.
Në ceremoninë qendrore të mbajtur në Prishtinë ishin të pranishëm qindra besimtarë katolikë – vendorë e ndërkombëtarë – por edhe shumë qytetarë myslimanë.
Me rastin e kësaj feste, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji të gjithë besimtarëve katolikë dhe njerëzve të tjerë vullnetmirë u ka dërguar një porosi për paqe, mirësi dhe dashuri.
Këtë vit festës së krishtlindjes i shtohet edhe shënimi i 100 vjetorit të lindjes së shenjtores Nëna Terezë.