Shtyrja e agjendës së zhvillimit ekonomik përpara mbetet sfida kryesore për ekonominë e Republikës së Kosovës, ka thënë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, në takim me grupin e biznesit të “Rrjetit Transatlantik”, anëtarë të të cilit po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë.
Grupi i liderëve të rinj nga Evropa dhe Amerika Veriore u informuan nga përfaqësues të MTI-së se çfarë politika është duke ndërmarrë kjo ministri.
Ajo që më së shumti i interesoi grupit të biznesit ishte ambienti i të bërit biznes në Kosovë.
Ministrja Kusari-Lila, foli për reformat që janë ndërmarrë deri më tani, për të shtuar se po punohet me përkushtim për të përmirësuar edhe më tutje ambientin e të bërit biznes.
“Deri më tani janë miratuar 11 ligje që kanë për qëllim lehtësimin e të bërit biznes, është shkurtuar koha për të hapur biznes, është reduktuar kapitali fillestar, si dhe është reduktuar numri i dokumenteve për eksport dhe import. Reformat do të vazhdojnë derisa të arrijmë të jemi vendi më i mirë në rajon për të bërë biznes”, ka deklaruar kreu i MTI-së.