Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, një ditë para protestës së thirrur nga opozita ka dhënë edhe një mesazh për ambasadat e huaja në Tiranë, si përgjigje ndaj ambasadës së SHBA-së.
Ai u bëri thirrje ambasadave të ishin palë me vlerat e demokracisë dhe jo palë me parti.
“Asnjëherë nuk komentoj deklaratat e ambasadave. Por, meqë më pyetët, kam një sugjerim. Nuk u kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri apo parti, por u kërkoj të jenë palë me vlerat e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të luftës kundër krimit të organizuar, drogës dhe shitblerjes së votës, probleme që u shprehën qartë dhe në raportin e DASH”, ka thënë Basha.
Ai ka deklaruar se protesta së shtunës do të jetë një tjetër rast për të ngritur zërin e qytetarëve.
“Shqiptarët e kanë kuptuar se e vetmja mënyrë për t’u ndarë nga e keqja është protesta. Kam bindjen dhe informacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha për të ndalur të keqen”, theksoi ai.