Njëri nga boksierët më të suksesshëm shqiptar, Robin Haxhi Krasniqi, më 17 nëntor 2018 do të rikthehet në ring për të mbrojtur titullin EBU të Evropës, të fituar më 2 qershor 2018.
Përballë Krasniqit më 17 nëntor, në Anhalt-Arena të qytetit gjerman DESSAU, do të jetë boksieri i talentuar gjerman Stefan Haertel, i cili qysh si amator ka arritur suksese të mëdha dhe ka qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, shkruan albinfo.ch.
Stefan Haertel është 30-vjeçar dhe e mban rekordin 17-1-0, ai është konkurrent i Robin Krasniqit në të njëjtin klub promovues, në SES BOXING, aktualisht klubi më i fuqishëm gjerman.
Ndryshe për Krasniqin ky do të jetë dueli i 54-t profesionist. Deri më tani, Krasniqi i ka siguruar 48 fitore dhe ka fituar shumë trofe ndërkombëtare, ka luftuar dy herë për titullin e botës, është shpallur dy herë kampion evropian dhe ne bazë të këtyre statistikave është boksieri më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave.
Dueli Krasniqi vs. Haertel do të transmetohet në dhjetëra vende të Evropës dhe do të jetë vendimtar për karrierën e mëtutjeshme të dy sportistëve.