Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për miratimin e listës së Qendrave të Votimit në përfaqësitë diplomatike, si dhe ka caktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik më 6 qershor, përcjell albinfo.ch.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 janë ambasada dhe 15 konsullata.
Po ashtu, KQZ ka përcaktuar se numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar fizikisht në këto qendra është 66,450.
Gjatë mbledhjes u bë e ditur se ky kufizim vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërsa numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.
Në rast se plotësohet numri maksimal i aplikuesve për votim fizik në përfaqësi diplomatike, aplikuesit do të udhëzohen që të regjistrohen për mënyrat e tjera të votimit, përfshirë votimin përmes postës, sipas parimit të kohës së aplikimit./Albinfo.ch