Ky është vendimi i fundit i kumtuar sot, gjatë takimit të Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunalë të Arsimit, e ku mori pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në komunikatën për media njoftohet se në takim u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e komunave të Kosovës dhe ministrisë, në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë dhe me orar të plotë.
“Ministrja Nagavci theksoi se rekomandimet e MSH dhe IKSHPK, por edhe praktikat botërore tregojnë se mësimi këtë vit shkollor po fillon me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi drejtorët komunalë të arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e ministrisë për fillimin e vitit shkollor”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, ministrja Nagavci u bëri thirrje mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve që të kujdesen maksimalisht, duke zbatuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, në mënyrë që nxënësit të mos humbin edhe mëtutje në procesin mësimor.