Tashmë patentë shoferët në Kosovë do të mbikqyren nga policia e Kosovës. Në marrjen e lejes së vozitjes do të jetë i pranishëm edhe një polic brenda veturës, shkruan albinfo.ch.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe ai i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për mbikëqyrjen e testimeve për patentë shofer, përcjell albinfo.ch.
Abrashi tha se tash e tutje policët do të kujdesen për mbikëqyrjen e testimeve.
“Tash e tutje, Policia e Kosovës në mbikëqyrje të testeve për patentë shofer. Memorandumi që nënshkruam me ministrin e MPB-së, Agim Veliu, do të rrisë më shumë transparencën në testime, e njëkohësisht edhe sigurinë”, ka shkruar ministri i Infrastrukturës në Facebook.
Sipas tij, kjo formë do të eliminojë korrupsionin, ndërsa do të shtojë edhe cilësinë në kalimin e testit për patentë shofer.
“Me mbikëqyrje të rreptë do ta godasim korrupsionin, e rrjedhimisht fuqizojmë patentë shoferët e Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në njoftim. /Albinfo.ch