Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku është diskutuar për protestën e përbashkët me Njësinë Speciale Operative dhe njësitë e tjera të mbajtur të shtunën, më 9 dhjetor.
Sipas komunikatës, deri në muajin janar nuk do të ketë më ndonjë aktivitet, përcjell albinfo.ch.
“Këshilli Drejtues vendosi që në muajin janar të vitit të ardhshëm të mbahet një takim i KD-së dhe të shikohet se në këtë periudhë kohore, nga protestat e deri në mbledhjen e ardhshme a do të realizohet ndonjë takim në drejtim të dialogut social. Arsyeja e kësaj periudhe kohore është për të dhënë hapësirë për dialog dhe pasi që është fundi i vitit si dhe për shkak të festave që pasojnë nuk mund të realizohet ndonjë aktivitet sindikal”, thuhet në njoftim.