Qytetarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, nga muaji mars, do të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim, duke përmbushur kështu edhe një detyrim të BE-së për lëvizje të lirë. Për qarkullimin pa pasaporta do të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit.
Pengesa e vetme që pengonte një bashkëpunim të tillë deri më tani, ishte mungesa e dokumenteve biometrike tek qytetarët e Kosovës.
Autoritetet kosovare kanë deklaruar se marrëveshja mes dy shteteve është në shqyrtim e sipër, ndërsa pritet që brenda një periudhe prej në muaji, të finalizohet nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi dhe Ministrja maqedonase e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
“Nga dhjetori ne filluam t’i japim dokumentet biometrike. Ministri Rexhepi kishte një takim me ministren Jankullovska në dhjetor dhe një version i marrëveshjes është gati. Pritet që pasi ta shqyrtojnë grupet e ekspertëve ajo të nënshkruhet”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së së Kosovës, Fisnik Rexhepi.
Nëse punët ecin mirë, sipas tij, nga marsi do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes, citojnë mediet në Prishtinë.
Maqedonia ka firmosur një marrëveshje të njëjtë edhe me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, qytetarët e të cilëve mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime. Po ashtu edhe Kosova ka marrëveshje me të tri këto shtete për lëvizje vetëm me letërnjoftim, përveç me Maqedoninë.