Duket se pandemia nuk ka pasur vetëm efekt negativ ekonomik në Kosovë, përkundrazi, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në periudhën tremujore të këtij viti (2021), eksporti i kompanive kosovare në vendet e BE- së dhe SHBA-së, ka pasur rritje për 45 për qind, transmeton albinfo.ch.
Ani pse pandemia ka pasur ndikim të keq në mbylljen e shumë kompanive në Kosovë, duke numëruar deri në 800 kompani të mbyllura, sa i përket eksportit, Kosova ka shënuar rritje si asnjëherë më parë.
Eksporti i mallrave të ndryshme, kryesisht atyre nga druri, kanë shënuar rritje. Në periudhën 3-mujore të këtij viti, eksporti i kompanive kosovare në vendet e Bashkimit Evropian dhe atyre të Shteteve të Bashkuara, ka shkuar në rritje deri në 45%, transmeton tutje albinfo.ch.
Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës është shprehur se në tremujorin e fundit Kosova ka shënuar rritje të eksportit në vlerë mbi 50 milionë euro më shumë se sa tremujori i vitit të kaluar.
“Vlera e saktë e vitit të kaluar në tremujorin e parë ishte 87 milionë euro, ndërsa në këtë tremujor janë 126 milionë euro mallra të eksportuara, e cila është një nga lajmet më të mira për ekonominë kosovare”, tha ai gjatë një interviste.
Sipas tij, nëse vazhdon ky trend i eksportit për produktet vendore deri në fund të vitit, atëherë shifra e eksportit do të kaloj në 600 milionë euro. /Albinfo.ch