“Këtë të diel në mëngjes kanë mbërritur në Kosovë Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko, si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”. Ata janë vendosur në Prishtinë dhe do të kenë mundësinë të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova”, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Siç njofton ky institucion, gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.
“Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev”.
Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo” financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ofron mjete të qirasë për banesë, pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim.