Policia e Kosovës ka njoftuar sot se ka ndërhyrë në një aheng familjar që po mbahej në Klinë. Ahengu ishte duke u mbajtur në fshatin Ujmir të Klinës.
“Me datë 13.09.2021, në rajonin e Pejës, konkretisht në fshatin Ujmir të Klinës, Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve dhe video inçizimeve të publikuara në media se pardje gjatë një ahengu familjar nuk janë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalim të përhapjes së virusit Covid 19, ka ndërmarr masat e nevojshme duke shqiptuar gjobën sipas ligjit në fuqi për mos respektim të masave të vendosura”, thuhet në njoftim, transmeton Albinfo.ch.
Policia e Kosovës, referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe referuar planifikimeve operacionale policore thekson se të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme po i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim.
“Respektimi i masave dhe kufizimeve në pajtim me vendimet e fundit të nxjerra nga qeveria e vendit mbetet prioritet për parandalimin e virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik”, vazhdon tutje njoftimi.