Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se 217 pacientë të konfirmuar me koronavirus po trajtohen në klinikat e QKUK-së, ndërsa 231 të tjerë në spitalet e përgjithshme. Në total numri i të hospitalizuarve nga ky virus ka arritur në 448, përcjell albinfo.ch.
Numri më i madh i pacientëve me COVID-19 po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së, përkatësisht 104 pacientë.
Në spitalin e Prizrenit është numri më i madh i pacientëve me koronavirus, përkatësisht aty po trajtohen 59 pacientë.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 20 prej tyre janë vënë në respiratorë, 22 të tjerë po trajtohen me makinën për frymëmarrje të njohur me shkurtesën CPAP, ndërkaq 390 pacientë të tjerë po trajtohen me oksigjeno-terapi.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 13 viktima si dhe 245 raste të reja më koronavirus.