Arsye e gjithë kësaj, sipas përfaqësuesve të të rinjve, sociologëve dhe njohësve të ekonomisë, është shkalla e lartë e papunësisë te kjo kategori e shoqërisë.
Rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës është nën moshën 20-vjeçare, ndërsa rreth 60 për qind e të varfërve janë më të rinj se 30 vjeç. Këto janë gjetjet e raportit të publikuar nga Banka Botërore dhe Enti i Statistikave të Kosovës.
Sipas këtij raporti, rreth 34 për qind e popullsisë në Kosovë, në vitin 2009, kanë jetuar në varfëri absolute, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme.
Njohësit e çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesit e organizatave rinore thonë se shkalla e lartë e papunësisë te të rinjtë është arsyeja kryesore që e bën këtë kategori të jetojë në varfëri.Po sipas të njëjtit raport, shkalla e varfërisë për kokë banori në vitin 2009 ishte 38 për qind në mesin e atyre që kishin mbaruar vetëm shkollën fillore, krahasuar me 28 për qind tek ata që kishin mbaruar shkollimin e mesëm dhe 11 për qind tek ata me arsim të lartë.