Kosova vazhdon të jetë vend endemik për sëmundje ngjitëse. Gjatë një viti, sipas të dhënave aktuale, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë persona.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i të prekurve nga sëmundjet ngjitëse, është rreth 6 mijë raste për 100 mijë banorë. Këto shifra i ka dhënë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.
Sipas infektologut Sali Ahmeti, disa prej sëmundjeve ngjitëse, janë të reja për Kosovën.
“Këto sëmundje që kanë ardhur në Kosovë janë si rezultat i hapjes së dyerve me botën e jashtme, dhe si rrjedhojë jemi të prekur edhe nga shumë sëmundje ngjitëse e që konsiderohen si të reja, por që rrezikojnë jetën e njeriut dhe janë të kushtueshme”, ka thënë ai.
Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit është rishfaqur në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 është trefishuar.