Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, ka organizuar dëgjim publik me temën “Mbikëqyrja dhe zbatimi i Ligjit për tokën bujqësore”, në të cilin u theksuan shumë parregullsi lidhur me trajtimin e tokave bujqësore nëpër komunat e Kosovës.
Gjetjet e raportit vëjnë në pahë se nëse vazhdohet me trendin aktual të ndërtimeve në tokat bujqësore, një ditë jo shumë të largët Kosova do të mbetet pa tokë bujqësore.
Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani ka shprehur shqetësimet e tij se në gjetjet e raportit nëpër komunat e Kosovës, e që fokusohet në shkeljen e ligjit, janë evidentuar humbje të mëdha të tokave bujqësore.
Ai ka theksuar se pasojë e madhe e humbjeve të tokave janë edhe ndërtimet pa leje, e që një ditë do të na lënë Kosovën pa tokë bujqësore. Ndërkaq kryesuesi i Nëngrupit të Komisionit për Tokën Bujqësore, Njazi Idrizi ka përmendur disa nga sfidat që i ka aktualisht toka bujqësore ne vendin tonë.
Gjetjet e këtij raporti kritikuan edhe kryetarët e komunave të cilët nuk kanë ndarë buxhet sa duhet për mbikëqyrjen dhe evitimin e destinimit të tokave bujqësore. Vërejtje tjetër ishte se trendi i ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore po bëhet më së shumti afër rrugëve të asfaltuara, e që nuk figurojnë as në kadastra si parcela të ndara.
Po ashtu, raporti bën me dije se po të vazhdojë ky trend i destinimit të tokave bujqësore, një ditë do të mbetemi pa tokë bujqësore.