Më në fund, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) e ka zyrtarizuar strategjinë prej gati 400 faqesh, me të cilën synon të përmbyllë procesin e njohjes së Kosovës. Përpilues i strategjisë është shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Dokumenti nuk specifikon se kur mund të arrihet ku objektiv, por si argument për njohje përmendet edhe fakti se Kosova është vendi i vetëm që ka dy fitues të çmimit “Sakharov” – Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin.
Sipas medieve kosovare, në dokument thuhet se rreth 50 shtete kanë sinjalizuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa 60 të tjera nuk e kanë bërë të ditur fare qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje.
Po ashtu dokumenti përmend përfshirjen e shumë aktorëve në punët e jashtme dhe realizimin e njohjeve si prioritet. Aty përmendet presidentja Atifete Jahjaga, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si aktorë me hise kryesore në arritjen e njohjeve për Kosovën.