Në bazë të raportit të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), në shkurt të këtij viti, në këmbimin e mallrave me jashtë, Kosova ka një deficit prej mbi 123 milionë eurosh, krahasuar me 111.8 milionë euro sa ishte në shkurtin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të ESK-së, eksporti në shkurt të këtij viti kap vlerën e 25.7 milionë euro, përderisa importi 148.9 milionë euro.
“Shënohet një rritje prej 64 për qind të eksportit dhe 16.8 për qind të importit krahasuar me vitin 2010”, thuhet në raportin e ESK-së.
Bllokadat e shteteve të rajonit, mosrespektimi i marrëveshjeve për tregti të lirë (CEFTA) dhe mungesa e preferencave tregtare me BE-në po i sjellin Kosovës problem të madh me deficitin tregtar. Ky është edhe problemi më i madh makroekonomik që vendi përballet në këto tri vitet e fundit.
Për përmirësimin e disbalancit tregtar, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Qeveria do të ndërmerr një seri masash gjatë këtij viti, që parashihen edhe në planin e zhvillimit ekonomik 2011-2014.