Enti i Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1 milion e 733 mijë e 872.
Këtu janë përjashtuar Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe pjesa veriore e Mitrovicës, ku nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.
Regjistimi është zhvilluar në prill të sivjetëm në 34 komuna, por që ka hasur në rezistencë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Në kryeqytetin e Kosovës jetojnë 198 mijë e 214 banorë.
Regjistrimi i fundit në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha etnitë, është mbajtur më 1981.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, Kosova kishte një popullsi prej 1 milion e 584 mijë e 440 banorësh.
Kurse, sipas vlerësimit të vitit 1991, në regjistrimin e bojkotuar atëbotë nga shqiptarët, Kosova kishte 1 milion e 956 mijë e 196 banorë.