Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të ndihmojë Japoninë në menaxhimin e katastrofës natyrore që ka goditur këtë vend.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i ka ofruar homologut të tij japonez, Takeaki Matsumoto, ndihmën e një kontingjenti të specializuar të FSK-së.
“Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi diskutuar lidhur me ngjarjet dramatike në Japoni. Republika e Kosovës është e gatshme të ndihmojë Japoninë në çdo mënyrë. Prandaj, ne ju ofrojmë dërgimin e Trupave të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Japoni.
Trupat e FSK-së janë shumë mirë të stërvitura në menaxhimin e katastrofave natyrore dhe janë të gatshëm që krah për krah me forcat tuaja të ndihmojnë popullin e Japonisë”, thuhet në letrën e Hoxhajt dërguar ministrit të jashtëm japonez.
Në këtë letër, ministri Hoxhaj potencon rolin që ka pas Japonia në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik, përmes projekteve të ndryshme.
“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës çmon mbështetjen e madhe të Japonisë, sidomos në njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në këtë letër.
Ministri Hoxhaj po ashtu në një bisedë telefonike me ambasadorin e Japonisë në Vjenë, Shigeo Iwatani i ka shpreh mbështetjen e shtetit të Republikës së Kosovës. Ai e ka informuar ambasadorin, Shigeo Iwatani lidhur me iniciativën e Qeverisë së Kosovës për të dërguar trupa të specializuara të FKS-së në Japoni, në tejkalimin e katastrofës natyrore.