Pas disfatës për anëtarësim në UNESCO, Kosova ka pësuar edhe një disfatë tjetër në planin diplomatik dhe të njohjes ndërkombëtare në raport me Serbinë. Kjo, pasi rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës për Kosovën, është miratuar pasditen e së enjtes së bashku me katër amendamente të propozuara nga Serbia.
Beogradi paraqiti një ditë më parë në Komision amendamente e veta në lidhje me Marrëveshjen Kosovë-Serbi për Asociacionin e komunave serbe, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe pse Kosova nuk u bë anëtare e UNESCO-s dhe për kalimin e disa kompetencave tek UNMIK në marrëdhënie me organizma të tilla si Interpol dhe Europol.
Këto amendamente u miratuan mëngjesin e së enjtes në Komision e më pas u paraqitën zyrtarisht si rezolutë nga Komisioni, raporton TCH. Por, përkundër kundërshtimit nga delegatët shqiptarë, të mbështetur edhe nga deputetët nga Britania, Turqia, Hungaria dhe Suedia, amendamentet serbe kaluan.
Përfaqësuesit e Shqipërisë, që kanë të drejtë vote, të ndihmuar nga përfaqësuesi i Suedisë, propozuan a amendamente që eliminonin kërkesat e paraqitura nga Serbia. Por, fatkeqësisht, të gjitha amendamente janë rrëzuar. Amendimi që rikthente disa nga standardet e para pavarësisë në lidhje me marrëdhëniet me Europol dhe Interpol, janë rrëzua vetëm për një votë.
Amendamentet e propozuara nga kryetari i delegacionit suedez, social-demokrati Jonas Gunnarson, u mbështeten nga përfaqësuesit shqiptare, Valentina Leskaj, Petrit Vasili, Namik Dokle dhe Oerd Bylykbashi, por në fund përfaqësuesit serbë e fituan betejën. Në sallë mungoi përfaqësuesja shqiptare nga Maqedonia, Ermira Mehmeti. Në këtë takim ka munguar edhe vetë hartuesi i rezolutës për Kosovën, reporteri spanjoll Augustin Conde.
Ndryshe, draft rezoluta për Kosovën e hartuar nga reporteri, Agustin Conde (deputet spanjoll i Partisë së Djathtë Spanjolle), bën një vlerësim pozitiv të arritjeve në Kosovë në fushat e demokracisë dhe forcimit të ligjit. Draft-rezoluta nënvizon në përfundim të saj propozimin shumë të rëndësishëm mbi ngritjen e nivelit te dialogut te Asamblesë Parlamentare te KiE me Kuvendin e Kosovës duke bërë shumë të afërt afrimin e Kosovës me Këshillin e Evropës.