Gjatë vitit të kaluar, 2016, është rritur për një të tretën numri i rasteve të abuzimit me sigurimin shëndetësor. Këtë njoftim e bën Zyra e Zvicrës për sigurim në raste të Aksidenteve (SUVA), në një raport të publikuar sot. Por, krahas shtimit të keqpërdorimeve, vitin e kaluar ka pasur edhe një shtim të madh të rasteve të pengimit të këtyre keqpërdorimeve, shkruan albinfo.ch. Ky numër, gjatë vitit 2016 ka qenë rekord.
Kështu, falë luftimit sistematik të keqpërdorimeve, sipas SUVA-s gjatë vitit të kaluar është arritur të kursehen 18 milionë franga. Bëhet fjalë për para të cilat do t`u paguheshin personave të cilët në mënyrë mashtruese kanë pretenduar të përfitojnë nga sigurimi në fjalë.
SUVA para dy vitesh kishte rritur në 13 numrin e punonjësve në sektorin për luftimin e abuzimit me sigurime. Megjithatë sipas saj, potenciali i rasteve të abuzimit, të cilat mund të zbulohen, është më i madh dhe nuk është shteruar.