Donacioni, i cili kap vlerën e mbi 40 mijë eurosh, përfshin 40 karroca, 10 shtretër ortopedikë, 2 lifta hidraulikë, dyshekë e tavolina për shtretër, të cilat janë dorëzuar në organizatën “Handikos”, ndërkaq dërrasa të zeza, tavolina, karrika, fletore, etj., janë destinuar për shkollat e Gjilanit, përderisa nuk kanë munguar edhe veshmbathjet për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Siç raportojnë mediat lokale, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka përkrahur këtë iniciativë në sigurimin e transportit dhe procedurave doganore.
Haziri ka falënderuar organizatën austriake për donacionin, ka thënë se mbështetja e popullit austriak dhe e bashkatdhetarëve tanë në diasporë është gjithnjë aktive dhe kjo dëshmon një lidhje emocionale dhe shpirtërore që ata kanë me vendin e tyre.
Hermann Hochreiter, drejtor i shoqatës bamirëse “Rumanienhilfe”, ka thënë se të gjitha mjetet e dhuruara janë funksionale, ndonëse të përdorura, duke shtuar se ky është kamioni numër 306 që e ka sjellë në Kosovë për familjet në nevojë.
Donacioni në fjalë ishte ndërmjetësuar falë angazhimit të bashkatdhetarit me prejardhje nga Gjilani, Rexhep Isufi.