Sipas kabinetit të shefes së diplomacisë së BE, Catherine Ashton, përgatitjet për të nisur dialogun Prishtinë-Beograd janë në fazën përfundimtare. Ndërsa në Prishtinë dhe Beograd është duke qëndruar përfaqësuesi i lartë në këtë kabinet, Robert Cooper, që pritet të caktohet ndërmjetësi kryesor i këtij dialogu.
E pyetur për qëllimin e vizitës së Cooperit në Kosovë, zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq ka thënë për media se BE-ja po zhvillon konsultimet e fundit me palët para dialogut Prishtinë-Beograd. Ajo ka thënë se dialogu mund të fillojë javët e ardhshme.
Ndërkohë edhe Prishtina tashmë ka emëruar zëvendëskryeministren Edita Tahiri në rolin e shefes së ekipit kosovar në këto bisedime. Disa zyrtarë serbë e kanë parë këtë emërim si provë se Prishtina e di se do të bisedohet për çështje politike, meqë ka emëruar zëvendëskryeministren për këtë çështje.
Beogradi kohë më parë e pat emëruar Borko Stefanoviqin, zyrtarin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për kryenegociator.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka thënë se “shumë njerëz” nga bashkësia ndërkombëtare mendojnë se ndarja e Kosovës mund të jetë një nga opsionet në bisedime.