Në këtë dëgjim publik me mërgimtarët kosovarë në Gjermani të organizuar nga Ministria e Diasporës ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli.
Pas prezantimit të objektivave të Projektstrategjisë së diasporës dhe mërgatës 2013-2018, të pranishmit dhanë ide dhe propozime se si të zhvillohet dhe të plotësohet kjo strategji, e cila u cilësua dokumenti më i rëndësishëm që do ta caktojë bazën ligjore të prioriteteve dhe të politikave për diasporën në të ardhmen, thuhet në njoftimin e MeD-it.
“Ky dokument, në vija të trasha, do t’i përcaktojë politikat strategjike të diasporës në vitet e ardhshme. Ai do të shërbejë si një bazament, mbi të cilin do të përcaktohen politikat për gjeneratat e reja, të cilat janë urë lidhëse mes Kosovës dhe diasporës”, tha ministri kosovar i diasporës, Ibrahim Makolli.
Ministria e Diasporës është duke zhvilluar dëgjime publike në 17 shtete, ku mërgata kosovare është më shumë e përqendruar.
„Ne do t’i marrim nga afër mendimet dhe propozimet tuaja, sepse më mirë se ju askush nuk mund të dijë dhe t’i përcaktojë politikat e nevojat që ka diaspora. Arsyeja që jam këtu është se ky dokument është për ju, andaj dua t’i dëgjoj mendimet tuaja. Ju siguroj se ato do të jenë pjesë e strategjisë për diasporën”, tha ndër të tjera ministri Makolli.