Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf u ka bërë thirrje studentëve dhe profesionistëve të rinj nga Kosova që të aplikojnë për programin e trajnimeve dhe praktikave profesionale që do të zhvillohet në Gjermani gjatë viteve 2025 – 2026, përcjell albinfo.ch.
Ky program, i organizuar nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) me mbështetjen e landit Renania Veriore-Vestfalia (NRW), synon të ofrojë mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Çfarë ofron programi?
• Praktika profesionale 3 – 6 mujore në kompani dhe institucione në NRW
• Trajnime dhe përvojë ndërkombëtare mbi standardet e BE-së
• Kurs përgatitor në gjuhën gjermane në Goethe Institut
• Certifikata zyrtare nga GIZ, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), Kancelaria e NRW-së dhe institucioni ku është zhvilluar praktika
Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, në bashkëpunim me GIZ-in, do të ndihmojë në përzgjedhjen e kompanive gjermane pjesëmarrëse, do të jetë pjesë e aktiviteteve zyrtare të projektit dhe do të lehtësojë komunikimin me institucionet dhe partnerët në Kosovë.
Afati i fundit për aplikim është 31 gusht 2025, njofton Konsullata e Kosovës në Dyseldorf.