Në Sallën koncertale të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, të premten në mbrëmje u shfaq koncerti i përbashkët i orkestrës rinore nga Bazeli i Zvicrës dhe Orkestrës e korit të shkollës së ulët dhe të mesme të muzikës.
Me këtë rast 30 instrumentistë nga Zvicra përfshirë këtu edhe udhëheqësin e grupit, pianistin e njohur për publikun gjakovar, Johannes Greiner dhe 45 instrumentistë dhe koristë të shkollës “Prenk Jakova” interpretuan vepra te ndryshme muzikore, shkruan gjakovapress.
Në këtë koncert adhuruesit e muzikës patën mundësi të dëgjojnë muzikë filmi, pastaj muzikë për orkestër të autorëve të njohur botërorë si dhe disa këngë shqipe të interpretuara nga Kori i shkollës bashkë me disa këngë të interpretuara nga orkestrat e përbashkëta zvicerane dhe shqiptare.
Tingujt e instrumenteve, zëri i këngëtarëve të talentuar dhe repertori i zgjedhur që e krijuan afro 80 pjesëmarrës të koncertit, krijuan një atmosferë të këndshme që u shpërblye me duartrokitje.
Edhe pse bashkëpunimi i Shkollës së muzikës “Prenk Jakova” me orkestrën e Bazelit ka filluar vite më parë, në koncertin e mbrëmshëm shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishin për herë të parë në Gjakovë dhe në përgjithësi në Kosovë.
“Mikpritja që i bëri publiku si dhe moshatarët gjakovarë të rinjve nga Bazeli, pastaj interpretimi i përbashkët i orkestrave, ishin përvoja të reja të bashkëpunimit me nxënësit kosovarë që pritet të zgjerohet edhe më tutje” theksoi Astrit Pallaska, drejtor i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”.