Organizata “EC Ma Ndryshe” ka realizuar performancën publike në sheshin para ndërtesë së Postës në Prizren me anë të cilës është shprehur pakënaqësia për vendosjen e pengesës në mes të trotuarit.
“Në këtë hapësirë publike të qendrës historike të qytetit, intervenimi i Komunës së Prizrenit me mjetet financiare publike në vend se të krijojë një trotuar të qasshëm për të gjithë përkundrazi ka krijuar një mjedis që pengon lirinë e lëvizjes për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, thuhet në reagim, përcjell albinfo.ch.
Performanca publike është realizuar pas kërkesave të banorëve të qytetit dhe EC-it të adresuara në Komunën e Prizrenit për largimin e pengesës në fjalë, por autoritetet lokale deri më tani nuk kanë marrë masa në këtë drejtim.
Bllokimi i trotuareve në qytetin e Prizrenit gjatë viteve të fundit është veçuar si njëri prej shqetësimeve kryesore të banorëve të Prizrenit.