Komisioni Nacional për mbrojtje nga tortura (NKVF), duke filluar nga qershori 2017 do të realizojë vizita të rregullta me karakter kontrolli nëpër qendrat federale të azilit, me ç`rast do të vlerësojë trajtimin e azilkërkuesve të strehuar. Konstatimet dhe rekomandimet e veta në formë të një raporti vjetor pastaj komisioni do t`i debatojë me autoritetet përgjegjëse.
Edhe më parë, në vitet 2012 dhe 2014 komisioni kishte publikuar dy raporte lidhur me vizitat e tij kontrolluese në qendrat për pranim dhe për procedurë të azilit si dhe në qendrat e përkohshme të nivelit federal, thuhet në një komunikatë të NKVF.
Qendrat të cilat NKVF i kishte testuar në vitet 2012-2014 kanë qenë 4 qendra të pranimit dhe të procedurës, të nivelit federal, 4 qendra të përkohshme po ashtu federale dhe dy zonat e tranzitit në aeroportet e Cyrihut dhe të Gjenevës, shkruan albinfo.ch. Në raportet e atëhershme, komisioni kishte drejtuar kritika lidhur me oraret shumë restriktive për qëndrim të azilkërkuesve jashtë vendstrehimit dhe lidhur me kufizimet në mbajtjen e kontakteve me jashtë, gjegjësisht ndalimin e përdorimit të telefonave mobilë. Një vërejtje të veçantë komisioni e kishte në lidhje me aspektet procedurale të marrjes së masave disiplinore, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ndërsa me vizitat e planifikuara për kontrollim në qendrat federale të azilit, do të testohet përputhja me të drejtat themelore të njeriut e kufizimeve të shqiptuara nga autoritetet, nën dritën e rekomandimeve të dhëna më herët nga komisioni.
Në dialog me autoritetet kompetente në nivel nacional dhe kantonal do të diskutohen konstatimet dhe rekomandimet e komisionit. Pastaj ato, të përmbledhura në një raport vjetor do t`i drejtohen Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM) dhe do të publikohen.