Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për rrugën evropiane të vendit, përcjell albinfo.ch.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kos ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave në kuadër të procesit integrues në Bashkimin Evropian.
“Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti”, ka shkruar Kos.
Ajo ka nënvizuar se zbatimi i reformave do të ndihmojë Kosovën të përfitojë nga programet dhe mbështetja e Bashkimit Evropian, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane./Albinfo.ch