Disa reagime epidermike tregojnë se është e nevojshme që kjo temë të diskutohet edhe për shumë vite akoma…
Eshtë fakt se problemet sociale të përmendura në shkrim ekzistojnë dhe shfaqen në proporcione më të larta sesa « doza normale » tek shqiptarët kudo që jetojnë, përfshi dhe ata në mërgim.
Shkaqet janë të shumta. Shqipëria del nga një periudhë e rëndë komunizmi dhe « demokracie » anarshi. « Njeriu i ri » spiun dhe dembel dhe gjithçka vijoi prej komunizmit janë plagë të thella në moralin e popullit dhe duhet kohë të shërohen. Kosova del nga nje aparteid gati 50-vjeçar dhe një luftë e egër dhe e gjatë. Ishte pjesa e Jugosllavisë më pak e zhvilluar nga ana sociale e kulturore por njëkohësisht edhe ajo me natalitet më të lartë.
Këto « kokteje » në momente të caktuara bëhen shumë problematike. Ky është problem i njohur jo vetem në Ballkan por edhe gjetiu (shif jo më larg vendet arabe të Afrikës së veriut, pa folur për Afrikën e Jugut…).
Sigurisht ka dhe shumë shpjegime të tjera. Por pyetja kryesore është : çfarë mund dhe duhet të bëjmë ? Dhe këtë pyetje ia bëjnë vetes pikërisht ata që janë krenarë me prejardhjen shqiptare dhe iu dhimbset kur emri shqiptar njolloset nga shembujt e këqij ! Turp nga « bëmat » e bashkëkombasve kriminelë ndjejnë pikërisht ata që vërtet e duan gjakun, emrin dhe origjinën e tyre.
Cfarë mund të bëjmë : edukimi, shkolla, janë sigurisht nga pistat kryesore. Rrahja e gjoksit, fyerjet, denigrimi i atyre që marrin iniciativën të flasin realisht si dhe mohimi i problemeve janë reagime jo konstruktive. Të paktën këto 20 vitet e fundit nuk e kanë ndihmuar as Kosovën, as Shqipërinë, as emigracionin shqiptar të përparojnë e të integrohen në Evropë.
Përsa i takon integrimit : përkufizimet që lexoj në disa komente janë të gabuara. Integrim nuk do të thotë humbje identiteti. Integrim do të thotë hyrje me kokën lart dhe me dinjitet në Evropë. Sa për kujtesë, integrimi në Evropë është qëllimi strategjik nr. 1 i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë aktualisht.
Si të arrijmë të integrohemi, krenarë në Evropë ? Si t’i tejkalojmë problemet sociale e ekonomike aktuale ? Punë, punë natë e ditë do përgjigjeshin rilindasit ! Nuk ka rrugë tjetër. Dhe puna kryesore e prindërve është kujdesi dhe edukimi i fëmijëve. Rilindasit i kushtuan rëndësi prioritare hapjes së shkollave shqipe, shpërndarjes së abetareve… Mendoj se edhe sot e kësaj dite arsimi, ndriçimi i mendjeve mbetet rruga kryesore që një komb të përparojë e të begatohet.
Përshëndes hapjen e debatit mbi këtë temë dhe uroj që debati të shoqërohet dhe me shembuj konkretë : çfarë bëjmë unë dhe ti konkretisht ? Jam e sigurt që shembujt janë të shumtë – përrenjtë e sotëm do bëjnë lumenjtë e nesërm.
Sa për rolin mobilizues të sportit, ju ftoj të shihni një film shumë të bukur : « Invictus » të Clint Eastwood. Falë sportit Mandela arriti të krijojë një komb ylber (rainbow nation) dhe të ngrejë ndërgjegjen e një shoqërie që dilte nga një krizë e thellë morale.
Kronika e Florim Cuculli: