Cologny, një komunë në brigjet e liqenit të Gjenevës, është zona më e shtrenjtë në Zvicër kur është fjala për pasuri të patundshme luksoze, sipas një studimi nga UBS.
Studimi zbuloi se çmimet e pasurive të patundshme arrinin në 35,000 franga për metër katror. Në disa raste, prona ka vlerë më shumë se 50,000 franga për metër katror.
Për krahasim, çmimi mesatar kombëtar për metër katror e një vile ‘normale‘ aktualisht është rreth 6.333 franga, sipas indeksit të pasurive të patundshme të hartuar nga Immoscout24, përcjell albinfo.ch.
Pasuritë e patundshme luksoze karakterizohen nga madhësia mbi mesatare e një prone, me përafërsisht 440 m2 hapësirë të jetesës dhe 2,000 m2 tokë. Një e katërta e pronave luksoze gjithashtu kanë një pishinë. Çmimi mesatar i shitjes është rreth gjashtë milionë franga.