Të gjithë parametrat për coronavirusin kanë shënuar rënie, është shprehur Chiesa në takimin në internet të delegatëve të SVP, në nivel të Zvicrës.
“Numri i njerëzve të infektuar, shkalla e vdekjes dhe e ashtuquajtura vlera riprodhuese kanë shënuar rënie”, ka thënë Chiesa, raporton srf.ch. “Por Këshilltari Federal Alain Berset (PS) po këmbëngul në vazhdimin e mbylljes pavarësisht rënies së numrave”, transmeton albinfo.ch.
Kjo nuk është mënyra e duhur e reagimit, ka thënë presidenti i partisë SVP, Chiesa në fjalën e tij të shtunën në mëngjes.
Berset është “Këshilltari Federal që ka kushtuar më së shtrenjti, i të gjitha kohërave. Vetëm bllokimi aktual gllabëron gjashtë milionë franga taksash në orë”, ka thënë Chiessa më tutje.
Për SVP-në, mbrojtja e shëndetit të popullatës është një përparësi. Por ne nuk duhet të harrojmë vendet e punës dhe ekonominë, përcjell albinfo.ch.
“Unë jam i përkushtuar të siguroj që shtresa e mesme të mos detyrohet të paguajë faturën dy herë: me mbyllje biznesi dhe rënie pagash – ndërsa më vonë, edhe me taksa më të larta”, ka thënë Chiesa.
Shkollat gjithashtu duhet të qëndrojnë të hapura, ka kërkuar kryetari i SVP-së.