Politikëbërësit në Kosovë duhet të marrin vendime që do të ndikojnë që njerëzit në Ballkanin Perëndimor të mbeten në vendet e tyre.
Kështu ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke folur në një panel në Prishtinë, ku pjesëmarrës ka qenë edhe kryediplomatja Donika Gërvalla dhe Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, përcjell Albinfo.ch.
Me këtë rast, Rohde ka përmendur ikjen e njerëzve nga Ballkani Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.
“Një problem në Ballkanin Perëndimor është ikja e trurit dhe kjo është arsyeja që e përmenda më parë, që e kam hero personal, Tommy Douglas, politikan kanadez. Ky njeri ka marrë vendim për vendin e tij për kujdesin shëndetësor. Pse largohen njerëzit? Pra, sigurimi shëndetësor, arsimi, pra e ardhmja. Kjo është një çështje kardinale për Ballkanin Perëndimor që të ketë një faktor tërheqës që njerëzit të mbeten këtu. Mendoj se politikëbërësit duhet t’i marrin vendimet që stabilizojnë shoqëritë e tyre”, ka thënë ai./Albinfo.ch