Bizneset në Cyrih nuk do të jenë të detyruara të pranojnë pagesa me para në dorë. Këshilli Kantonal i Cyrihut ka hedhur poshtë një iniciativë qytetare që kërkonte detyrimin ligjor për pranimin e parasë cash, ndërsa propozimi mori vetëm tetë vota pro, përcjell albinfo.ch.
Çështja e përdorimit të parasë në dorë ka qenë temë e shpeshtë debati në qytetin dhe kantonin e Cyrihut gjatë muajve të fundit. Diskutimet u intensifikuan veçanërisht pasi Muzeu i Artit i Cyrihut dhe tregu i Krishtlindjeve në stacionin kryesor hekurudhor vendosën të pranonin vetëm pagesa pa para në dorë, një vendim që më pas u tërhoq pas reagimeve publike.
Ndërkohë, në nivel kombëtar po zhvillohet një iniciativë e ngjashme, por e pavarur, e cila kërkon që shteti të garantojë disponueshmërinë e parasë në dorë dhe ruajtjen e frangës zvicerane si monedhë kombëtare. Kjo iniciativë pritet të hidhet në votim më 8 mars.